Pasditen e sotme, një vatër zjarri është shfaqur në zonën e njohur si Uji i Ftohtë në Vlorë, pranë hotelit "New York". Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me pisha, duke shkaktuar shqetësim për banorët dhe pushuesit në atë zonë. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë dy mjete zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Pas ndërhyrjes së shpejtë, forcat zjarrfikëse kanë vënë situatën nën kontroll. Megjithatë, sipas të dhënave paraprake, rreziku i riaktivizimit mbetet i lartë, pasi humusi nëntokësor vijon të digjet në thellësi. Era që fryn në zonën bregdetare mund të favorizojë rindezjen e flakëve në sipërfaqe. Për këtë arsye, ekipet zjarrfikëse vijojnë të qëndrojnë në terren dhe po monitorojnë situatën me intensitet, duke punuar me ujë për të shuar plotësisht vatrën nëntokësore dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt zonave të banuara përreth. Deri në këto momente, nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të tjera materiale.