Pasditen e kësaj të diele, një zjarr ka përfshirë zonën pyjore pranë tunelit në Ujin e Ftohtë, në qytetin e Vlorës. Zjarri është përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të mbjellë me pisha dhe bredha, duke shkaktuar shqetësim për shkak të afërsisë së flakëve me disa objekte akomoduese, hotele dhe biznese të zonës.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse për të mundësuar izolimin dhe shuarjen e flakëve. Sipas të dhënave, ndërhyrja e forcave të shpëtimit po has vështirësi për shkak të terrenit dhe dendësisë së bimësisë, e cila favorizon përhapjen e vatrave të zjarrit drejt strukturave turistike. Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar dy shërbime zjarrfikëse, të cilat po punojnë për të mbajtur zjarrin larg strukturave pranë tunelit.
Autoritetet lokale po vijojnë monitorimin e situatës, ndërkohë që përpjekjet janë përqendruar në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit. Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë ende një njoftim zyrtar për origjinën e flakëve.
Përditësime
Shërbimet zjarrfikëse vunë nën kontroll flakët pas 30 minutash ndërhyrje. Incidenti shkaktoi largimin e turistëve nga lokalet përreth zonës së Ujit të Ftohtë. Disa biznese në afërsi raportuan ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e dëmtimit të rrjetit. Autoritetet po punojnë për normalizimin e plotë të situatës në terren.