Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi Groenlandën si “dhuratën më të madhe” që Shtetet e Bashkuara kanë marrë ndonjëherë nga Evropa, gjatë një interviste për rrjetin televiziv amerikan Fox. Fragmenti i intervistës u publikua edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit në llogarinë e tij zyrtare në platformën X.
“Evropa ishte e mirë. Ata thjesht u dhanë Shteteve të Bashkuara dhuratën më të madhe që kemi marrë ndonjëherë. E dini çfarë ishte? Groenlanda”, tha Trump.
Groenlanda është territor vetëqeverisës në kuadër të Mbretërisë së Danimarkës. Interesi i administratës Trump për ishullin lidhet me pozicionin e tij strategjik në Arktik, pasuritë minerale dhe rëndësinë për sigurinë kombëtare amerikane. Deklaratat e përsëritura të Trump për marrjen e kontrollit të ishullit kanë shkaktuar tensione diplomatike me Danimarkën dhe partnerët evropianë.
Në shtator, Shtetet e Bashkuara, Danimarka dhe Groenlanda nënshkruan një marrëveshje që synon të ulë tensionet dhe të përcaktojë bashkëpunim më të gjerë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Marrëveshja parashikon zgjerimin e rolit të ushtrisë amerikane në Groenlandë, përfshirë hapjen e rrugës për krijimin e dy bazave të reja ushtarake dhe vendosjen e sistemit të mbrojtjes kundër raketave “Kupola e Artë”, projekt i promovuar nga Trump. Ajo riafirmon gjithashtu sovranitetin danez mbi ishullin dhe të drejtën e banorëve të tij për vetëvendosje.
Parlamenti danez pritet ta shqyrtojë projektligjin në lexim të parë më 11 nëntor. Leximi i dytë dhe votimi janë planifikuar për 19 nëntor. Marrëveshja ekzekutive do të hyjë në fuqi pasi të ratifikohet nga Danimarka dhe Groenlanda; sipas Java News, Vizion Plus dhe Lapsi.al, ajo nuk kërkon miratimin e Senatit amerikan.