Koloneli amerikan Jabari Miller mori drejtimin e Komandës Rajonale-Lindje të KFOR-it gjatë një ceremonie të zhvilluar të hënën në Camp Bondsteel, në Kosovë. Ushtarët aktivë amerikanë të Regjimentit të 2-të të Kalorësisë dhe njësitë mbështetëse të Divizionit të 1-rë të Këmbësorisë morën komandën nga Brigada e 53-të e Këmbësorisë e Gardës Kombëtare të Floridës.
Zëdhënësi i komandës, rreshteri i shtabit Hunter Tate, tha se ushtarët amerikanë në shërbim aktiv nuk e kishin udhëhequr Komandën Rajonale-Lindje që nga shtatori i vitit 2014. Sipas tij, vendimi për ndryshimin e strukturës komanduese u mor duke u bazuar në disponueshmërinë aktuale të forcave dhe nevojat e misionit.
Miller tha se ushtarët janë të gatshëm të punojnë me aleatët dhe partnerët e NATO-s për të ruajtur një mjedis të sigurt në Kosovë. Në deklaratën e tij për revistën ushtarake “Stripes”, ai i përshkroi trupat si në gjendje të mirë fizike, të motivuara, të disiplinuara dhe të trajnuara, si dhe të gatshme të kontribuojnë për një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm.
Regjimenti i 2-të i Kalorësisë e ka bazën në Vilseck të Gjermanisë, ndërsa njësitë mbështetëse vijnë nga Divizioni i 1-rë i Këmbësorisë. Ushtarët e këtij divizioni kishin shërbyer në Kosovë më 1999, në periudhën e vendosjes së misionit paqeruajtës të NATO-s. Komanda Rajonale-Lindje është njëra nga dy komandat rajonale të NATO-s në Kosovë. Misioni i KFOR-it synon ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet.
Reduktimet e trupave të KFOR-it
Ndërrimi i komandës ndodh ndërsa NATO ka paralajmëruar uljen e numrit të paqeruajtësve në Kosovë deri në fund të vitit 2026, duke e lidhur këtë me përmirësimin e situatës së sigurisë. Sipas një zyrtari të NATO-s, numri i trupave mbetet pothuajse i pandryshuar, rreth 4 600 ushtarë nga vendet aleate dhe partnere. Ndryshimi i komandës amerikane lidhet me rotacionin dhe strukturën komanduese; nuk është raportuar shtim i konfirmuar i numrit të ushtarëve amerikanë në Kosovë.