Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar se brenda dy javësh ushtria serbe do të vërë në përdorim robotë të prodhuar në Kinë. Gjatë një vizite në fabrikën e robotëve humanoid në Shabac, presidenti serb konfirmoi se këto pajisje po i nënshtrohen testeve përfundimtare për të garantuar saktësi në përdorimin ushtarak. Robotët janë të pajisur me sensorë dhe kamera për lundrim në terren, ndërsa inxhinierët kanë punuar në një sistem që mundëson kontrollin e armëve në distancë.
Sipas planit të prezantuar, robotët do të mund të mbajnë mitraloza, raketahedhës dhe armë të tjera për sulme ndaj forcave armike. Fabrika, e cila ndodhet brenda ambienteve të Minth Group, operon në partneritet me kompaninë kineze AGIBOT. Ndërsa parashikimet fillestare kishin përcaktuar prodhimin e 1.000 deri në 2.000 robotë në vit, Vuçiç deklaroi se shpreson që ky numër të rritet në mbi 5.000 njësi në vit.
Serbia po forcon bashkëpunimin ushtarak me Kinën përmes blerjes së armëve dhe ushtrimeve të përbashkëta. Ky zhvillim ka sjellë reagime nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë paralajmëruar vazhdimisht për rreziqet që mbart thellimi i këtij bashkëpunimi ushtarak për vendin kandidat në BE.
Përditësime
Presidenti Aleksandar Vuçiç konfirmoi se fabrika në Shabac është e para e këtij lloji në kontinentin evropian e fokusuar në prodhimin e robotëve humanoidë. Kreu i shtetit serb njoftoi se brenda 15 ditësh, këta robotë do të shfaqen në veprim, duke demonstruar jo vetëm aftësi lëvizjeje, por edhe përdorimin e sistemeve të avancuara të armatimit.
Zyrtarët serbë konfirmuan se tregu kryesor për eksportin e robotëve humanoidë do të jetë Bashkimi Evropian. Fabrika në Shabac, e cila operon në partneritet me AGIBOT dhe Minth Group, ka nisur zyrtarisht veprimtarinë e saj që prej shkurtit të këtij viti.