Astronomët kanë regjistruar valën gravitacionale GW250114, më të fuqishmen e zbuluar ndonjëherë, e prodhuar nga përplasja e dy vrimave të zeza në një distancë mbi një miliard vite dritë nga Toka. Sinjali u zbulua në janar 2025 nga detektorët binjakë LIGO në Shtetet e Bashkuara dhe u analizua nga bashkëpunimi ndërkombëtar LIGO–Virgo–KAGRA.
Studimi, i publikuar në revistën Physical Review Letters, testoi parashikimin e Stephen Hawking nga viti 1971, sipas të cilit sipërfaqja totale e vrimave të zeza nuk zvogëlohet kurrë gjatë bashkimit, por vetëm rritet. Matjet konfirmuan këtë me një siguri prej 99.999%, ku mundësia e shkeljes ishte më pak se një në 100 mijë. Para përplasjes, sipërfaqja e kombinuar e horizonteve të ngjarjeve ishte rreth 240 000 kilometra katrorë, ndërsa pas bashkimit ajo u rrit në rreth 400 000 kilometra katrorë.
Sinjali ishte rreth dy herë më i fortë se çdo regjistrim i mëparshëm, duke mundësuar llogaritje më të sakta të masave dhe rrotullimeve të vrimave të zeza. Ai përmbante dy faza kryesore: fazën e spiralës, ku vrimat rrotulloheshin gjithnjë e më shpejt, dhe fazën e ringdown-it, ku vrima e re e zezë stabilizohej. Për herë të parë, u dalluan qartë dy frekuenca të ndryshme në këtë fazë përfundimtare, duke konfirmuar parashikimet e teorisë së relativitetit të Ajnshtajnit.
Ky zbulim përfaqëson një avancim në astronominë e valëve gravitacionale, e nisur në vitin 2015 me sinjalin e parë GW150914. Në vitin 2021, një test i ngjashëm arriti konfirmim me rreth 95% probabilitet, por fuqia e re e sinjalit GW250114 ofron saktësi më të lartë. Valët gravitacionale janë dridhje të hapësirë-kohës, të krijuara nga përplasje objekteve masive si vrimat e zeza, dhe maten nga detektorë lazerë me krahë 4 kilometra të gjatë, të ndjeshëm ndaj ndryshimeve më të vogla se madhësia e një protoni.