Prej 27 ditësh zhvillohet operacioni për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj, i cili dyshohet se u rrëmbye nga rrjedha e ujit të lumit Mat më 10 janar 2026, pas aksidentit ku mjeti, në të cilin udhëtonte bashkë me 24-vjeçarin Andi Losha, ra në lumë. Losha arriti të dalë nga mjeti.
Në operacion marrin pjesë Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Njësia Speciale e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK). Kërkimet zhvillohen në të gjithë rrjedhën e lumit Mat dhe në liqenin e Ulzës, në zonën e Klosit.
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vëngu, dhe Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ndoqën nga afër operacionin, takuan familjarët e Karajt si dhe ushtarakët e të dy vendeve. Vëngu deklaroi se operacioni është në ditën e 27-të, me 82 forca dhe mjete teknologjike të përfshira. Ai theksoi se është gjetur karta e identitetit të babait të të ndjerit dhe premtoi se kërkimet nuk do të ndalen.
Maqedonci deklaroi se FSK ka qenë në zonë që nga 29 janari, me njësi të specializuara për kërkime në ujëra, skanerë, kamera dhe dronë nënujorë. Ai nënvizoi bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe siguroi se personeli do të vijojë punën deri në fund të operacionit.
Përditësime
Qeveria e Kosovës miratoi angazhimin e kontingjentit të kërkim-shpëtimit nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile i Gardës Kombëtare të FSK-së në kërkimet për Jurgen Karaj në lumin Mat.
FSK u angazhua në zonë me kërkesën e autoriteteve shqiptare.