Ndeshja e parë e play-off-it mes Polonisë dhe Shqipërisë do të luhet më 26 mars në Stadiumin Narodowy të Varshavës.
Biletat për këtë takim dalin në shitje javën e ardhshme, por ende nuk janë vënë në dispozicion as për tifozerinë vendase as për sektorin mik të tifozëve shqiptarë. Stadiumi ka kapacitet prej 58.000 vendesh, ndërsa interesimi shihet i lartë në faqet e shitjes online.
Sipas rregullores, sektorit mik i caktohen vetëm 5% e kapacitetit, pra 2.900 bileta për tifozët kuqezi, ndërsa 55.100 vende ruhen për tifozerinë polake.
Top Channel mëson se një delegacion shqiptar, i dërguar dje në Varshavë për bisedime mbi logjistikën dhe akomodimin e ekipit, do të kërkojë rritjen e numrit në rreth 10% të kapacitetit për tifozerinë shqiptare në këtë eveniment historik për Shqipërinë.
Çmimet e biletave nuk janë zyrtarizuar ende, por bazuar në ndeshjet e mëparshme kualifikuese të Polonisë:
- 55 euro në tribunat anësore;
- 42 euro në qoshet e stadiumit dhe fushë;
- 26 euro pas portave;
- më shtrenjtë në tribunat qendrore dhe ato VIP.