Sipas përditësimit të fundit të platformës Transfermarkt, vlera e sulmuesit të Kombëtares shqiptare Armando Broja ka rënë me 2 milionë euro, duke arritur në 8 milionë euro. Kjo shifër e vendos atë në vendin e pestë në listën e lojtarëve më të shtrenjtë të kuqezinjve.
Lista udhëhiqet nga Anis Mehmeti me 14 milionë euro, i ndjekur nga Kristjan Asllani me 13 milionë euro, Ernest Muçi me 11 milionë euro dhe Mirlind Daku me 10 milionë euro. Në të njëjtin përditësim, vlerat e Mehmetit dhe Muçit janë rritur përkatësisht në 14 milionë euro dhe 11 milionë euro.
Për Brojën, kjo është vlera më e ulët që nga mosha 19-vjeçare. Në dhjetor 2021, ndërsa luante me Southampton, vlera e tij kishte arritur 9 milionë euro. Rekordi i tij maksimal ka qenë 30 milionë euro në vitin 2022, kur ishte në pronësi të Chelsea në moshën 21-vjeçare.
Aktualisht, 24-vjeçari është i dëmtuar dhe mungon në ndeshjet e Burnley. Rikthimi i tij nuk dihet ende, ndërsa Kombëtarja shqiptare do të luajë në "Play-off" të Kupës së Botës 2026 kundër Polonisë pas pak javësh.