Një ngjarje tragjike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në Gjermaninë jugore, ku një shtetase britanike 31-vjeçare ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra pas një sulmi me thikë. Sulmi është regjistruar në stacionin hekurudhor të Rosenheim-it, në landin e Bavarisë, pak para orës 01:00 me kohën lokale. Edhe pse e reja u dërgua menjëherë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ajo nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve të rënda.
Policia bavareze njoftoi se ka arrestuar në vendngjarje një 27-vjeçar gjerman, i cili dyshohet si autori i këtij krimi. Sipas informacioneve, i dyshuari është nga distrikti Fürstenfeldbruck. Autoritetet po punojnë për të zbardhur motivin e sulmit dhe për të kuptuar nëse viktima dhe autori kishin njohje të mëparshme me njëri-tjetrin.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, policia u ka bërë thirrje të gjithë dëshmitarëve që mund të kenë qenë të pranishëm në stacion gjatë natës së shtunës ose në orët e para të së dielës, dhe që kanë parë ndonjë debat apo përleshje fizike, të kontaktojnë autoritetet. Rosenheim-i është një nyje e rëndësishme hekurudhore në Bavarinë e Sipërme, e cila shërben për pasagjerët që udhëtojnë drejt qyteteve austriake si Vjena, Salzburgu dhe Innsbruck-u. Gjithashtu, bëhet e ditur se në këtë periudhë në zonë po zhvillohet manifestimi Rosenheimer Herbstfest.
Përditësime
Autoritetet bënë të ditur se sulmi në stacionin hekurudhor ndodhi pak para orës 01:00 të mëngjesit të së dielës. I dyshuari, një 27-vjeçar gjerman, do të sillet para gjyqtarit gjatë ditës së sotme për vlerësimin e masës së sigurisë.