Harvey Weinstein, ish-prodhuesi i filmave në Hollywood, i dënuar për krime seksuale, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Hollywood Reporter në burgun Rikers Island të New York-ut. Intervista u zhvillua në janar në një dhomë takimesh brenda burgut, ku ai u shfaq i dobësuar, më i zbehtë dhe më i plakur. Weinstein u ul në një karrige me rrota të sjellë nga një roje e burgut dhe veshi një kostum të verdhë.
Më 23 shkurt 2023, ai u dënua me 16 vjet burg pas skandaleve të zbuluara në vitin 2017 nga New York Times dhe New Yorker. Këto hetime nxorën në dritë ngacmimet dhe abuzimet seksuale ndaj aktoreve, duke ndezur lëvizjen #MeToo. Rreth njëqind gra e denoncuan publikisht më pas.
Weinstein jeton i izoluar në njësinë mjekësore të burgut për shkak të kancerit të palcës kockore, diabetit dhe një operacioni në zemër. Ai kalon kohën kryesisht të mbyllur në qeli, me vetëm 16-18 minuta çdo tre orë për të përdorur telefonin, lidhjen e vetme me botën jashtë. Flet rregullisht me tre fëmijët, avokatët dhe miq.
Ai tregon se një herë një burrë e goditi në fytyrë. “Isha i gjakosur, por nuk mund të tregoja se kush e bëri. Nuk mund të jesh spiun, është ligji i xhunglës”, thotë Weinstein. Për të kaluar kohën, lexon vepra të Hemingway-t dhe Fitzgerald-it, si dhe kujton filmat e prodhuar, përfshirë “Pulp Fiction” të Tarantino-s.
Weinstein shpreh frikën se mund të vdesë në burg. “Do të ishte një fund mizor. Kam jetuar një jetë të jashtëzakonshme. Do të bëj 74 vjeç në mars. Nuk dua të vdes këtu.” Kur e pyetën për Jeffrey Epstein, ai mohoi njohjen me të.