William Walker, ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ka rrëfyer në intervistë detaje nga vizita e tij në fshatin Reçak të Shtimes më 15 janar 1999, pas masakrës ku u vranë 45 civilë shqiptarë nga forcat paramilitare serbe.
Ai ka deklaruar se pamja e parë ishte një trup pa kokë dhe se çdo hap i mëtejmë e rëndonte situatën. "Sa më shumë shihnim, aq më e rëndë bëhej", ka thënë Walker. Ai ka theksuar se raporti fillestar nuk përputhej me realitetin në terren dhe se situata nuk mund të quhej betejë, por masakër.
Në përvjetorin e 27-të, në intervistë për Kosova Live dhe T7, si dhe në Akademinë Përkujtimore, Walker ka thënë se Reçaku i tregoi botës të vërtetën e Kosovës dhe se reagimi i tij ngriti alarmin për krime kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve. Ai ka shtuar se po t’i thoshin 27 vjet më parë se Kosova do të bëhej vend i pavarur, nuk do ta besonte. "Po të më thoshte dikush që pas kaq vitesh do të isha para një vendi të pavarur, do të thosha ‘je i çmendur’", ka deklaruar ai.
Rrëfimi rikthen në vëmendje ngjarjen që ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë dhe tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare.
Përditësime
William Walker falënderoi UÇK-në dhe verifikuesit nga mbi 30 vende të OSBE-së që erdhën pa mbrojtje dhe pa armë.
Ai shpjegoi se flet vetëm për Reçakun, sepse aty u mblodhën shpejt verifikuesit dhe gjenerali britanik, ndryshe nga masakra e familjes Jashari.
Walker përmendi kosovarët që e mbronin atë dhe shtoi se shumë vende dolën në krah të Kosovës.
William Walker theksoi se Kosova konsiderohej ndër vendet më demokratike në botë dhe përmendi mbi 1.200 vullnetarë nga 30 vende anëtare të OSBE-së. E mbronin 6-7 të rinj kosovarë të armatosur me shkopinj. Ai nuk kishte frikë, sepse Slobodan Milošević-i nuk do ta dëmtonte një ambasador. Vullnetarët punonin në fshatra të thella duke dëshmuar të vërtetën.
William Walker, i ftuar në emisionin 'Politiko', deklaroi: "Sa herë që kthehem në Kosovë dhe flas me gazetarë, gjithmonë më përkujtohet ajo ditë". Ai e cilësoi Reçakun si simbol të vuajtjes, të vërtetës dhe drejtësisë për brezat e rinj.