Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi në një konferencë për shtyp se kanë nisur veprimet paraprake për zhvillimin e projektit turistik në ishullin e Sazanit. Ajo theksoi se statusi pronësor i ishullit nuk do të ndryshojë, pasi Sazani mbetet në pronësi të shtetit shqiptar.
Sipas Ibrahimajt, shteti do të jetë palë aktive në këtë investim përmes rolit si bashkëinvestitor dhe bashkëpronar. Aktualisht po zhvillohen negociata me kompaninë private për të përcaktuar përqindjen e kapitalit që do të zotërojë shteti, si dhe detajet e zbatimit të projektit. Ministrja u zotua se pasqyra e plotë mbi marrëveshjen, përfshirë afatet e realizimit, do të bëhet publike sapo negociatat të përfundojnë.
Ndërkohë, sa i përket zhvillimit të zonës së Zvërnecit, ministrja saktësoi se ende nuk ka një projekt të finalizuar. Aktualisht po punohet nga një grup arkitektësh, ekspertësh mjedisorë dhe specialistësh të peizazhit për hartimin e një plani që do të përmbushë standardet mjedisore të Bashkimit Evropian. Ibrahimaj vlerësoi se investimet e këtij niveli, në një ekonomi me PBB prej rreth 27 miliardë euro, janë thelbësore dhe përbëjnë një nxitje të rëndësishme për ekonominë vendase.