Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë masivin pyjor në Malin e Polisit, në Njësinë Administrative Polis të bashkisë Librazhd. Sipas banorëve të zonës, situata paraqitet alarmante, pasi flakët kanë përshkuar disa hektarë sipërfaqe pyjore. Përhapja e shpejtë e zjarrit po favorizohet nga temperaturat e larta dhe kushtet e thatësirës.
Një faktor shtesë që po vështirëson neutralizimin e flakëve është prania e mbetjeve të thata, të krijuara pas ndërhyrjeve të mëparshme në pyll, pasi zona është shfrytëzuar vitet e fundit me leje nga kompani private. Forcat zjarrfikëse dhe shërbimi pyjor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për izolimin e vatrave, me qëllim parandalimin e përhapjes së flakëve në pjesë të tjera të masivit pyjor.
Megjithatë, ndërhyrja po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të terrenit të thepisur dhe malor, që kufizon lëvizjen e mjeteve zjarrfikëse dhe aksesin në vatra. Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes, ndërsa dyshohet paraprakisht se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht. Pritet që institucionet përkatëse të përcaktojnë sipërfaqen e saktë të përshkuar nga flakët.
Përditësime
Shefi i stacionit zjarrfikës, Mitat Gjura, raportoi vështirësi të shtuara për shkak të terrenit në Njësinë Administrative Polis, në bashkinë e Librazhdit. Gjura kërkoi pajisjen urgjente të efektivëve me filtra dhe mjete mbrojtëse, pasi zjarrfikësit janë ekspozuar ndaj tymit për më shumë se 5 orë. Autoritetet konfirmuan se zjarri është aktualisht nën kontroll, ndërsa ekipet do të vijojnë monitorimin e terrenit deri në mbrëmje për shmangien e riaktivizimit të vatrave.