Një zjarr i fuqishëm përfshiu orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne një zonë kodrinore në hyrje të Ksamilit. Flakët u shfaqën rreth orës 04:50 në afërsi të një resorti, çka solli mobilizimin e menjëhershëm të forcave zjarrfikëse.
Puna e ekipeve të shpëtimit u vështirësua fillimisht nga prania e erës së fortë, e cila favorizoi përhapjen e flakëve dhe ndikoi në ritmin e operacionit për shuarjen e vatrave. Megjithatë, ndërhyrja në kohë mundësoi izolimin e zjarrit dhe vendosjen e situatës nën kontroll. Autoritetet konfirmuan se nuk ka persona të lënduar dhe nuk janë shënuar dëme materiale në strukturat përreth.
Ndërsa zjarri është shuar, zona vijon të mbetet nën monitorim nga autoritetet përkatëse për të parandaluar çdo mundësi të riaktivizimit të vatrave. Shkaqet që çuan në rënien e këtij zjarri mbeten ende të paqarta. Pritet që institucionet përgjegjëse të kryejnë verifikimet e nevojshme në terren për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.