Pasditen e së martës, 22 shtator 2026, banorët e një blloku pallatesh 11-katëshe në lagjen "Ura e Çelëve" në Lushnje, u përfshinë nga paniku për shkak të një zjarri të rënë në afërsi të ndërtesës. Sipas të dhënave, vatra e zjarrit filloi jashtë pallatit, ku po digjeshin mbeturina dhe ferra.
Për shkak të temperaturave të larta, xhamat e garazhit u thyen, duke lejuar depërtimin e tymit në ambientet e brendshme. Si pasojë, banorët zbritën me nxitim për të larguar automjetet e parkuara. Përveç thyerjes së xhamave, raportohet se nga nxehtësia është plasur edhe një tubacion uji që furnizon godinën.
Forcat e policisë dhe shërbimet zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e plotë të flakëve. Sipas raportimeve, nuk ka pasur persona të lënduar nga ky incident. Gjithashtu, nuk janë shënuar dëme materiale në automjetet e banorëve, të cilat u larguan nga ambientet e garazhit përpara se flakët të merrnin përmasa të tjera.
Përditësime
Situata është përkeqësuar pas përhapjes së flakëve në ambientet e garazhit nëntokësor, ku po digjen sasi mbetjesh. Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e përkohshëm të banorëve nga godina, si masë paraprake sigurie për shkak të përqendrimit të lartë të tymit.