Jeton Zulfaj, kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, vizitoi Pragën në prag të katërvjetorit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. Gjatë takimeve me përfaqësues të institucioneve çeke, ai diskutoi avancimin e aplikimit dhe hapat e ardhshëm drejt marrjes së statusit të vendit kandidat.
Zulfaj shoqërohej nga ambasadorja e Kosovës, Albesjana Iberhysaj Kapitaj. Ai u takua me të dërguarën e Qeverisë çeke për Ballkanin, Edita Hrda, ish-shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, dhe drejtoreshën e përgjithshme të Seksionit për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekisë, Hana Hubackova. Në takime morën pjesë gjithashtu Ondrej Matoušek, nga Zyra e Qeverisë çeke, dhe Pavel Telicka, ish-kryenegociator i Çekisë për anëtarësim në BE.
Në Senatin çek, Zulfaj zhvilloi takime të ndara me Pavel Fischerin, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Mbrojtje dhe Siguri, dhe Jan Schillerin, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane. Bisedimet përfshinë rolin që Çekia mund të luajë në procesin e Kosovës, përvojën e saj në negociatat e anëtarësimit, forcimin e bashkëpunimit parlamentar dhe sigurinë rajonale.
Zulfaj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë për Kosovën, veçanërisht gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së në vitin 2022. Ai shprehu mirënjohje për mbi 8.000 ushtarë dhe pjesëtarë personeli nga Çekia që kanë shërbyer në Kosovë dhe kanë kontribuar në sigurinë dhe paqen në vend e në rajon.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE në Pragë më 15 dhjetor 2022, gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së. Sipas njoftimit të Ministrisë, ky moment shënoi një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit dhe krijoi një lidhje të veçantë mes Kosovës, Çekisë dhe Pragës.