Më 27 janar përkujtohet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit dhe viktimave të nacionalsocializmit. Në nëntor 2005, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën 60/7, duke shpallur këtë ditë si paralajmërim kundër urrejtjes, intolerancës, racizmit dhe paragjykimit. Holokausti mori jetën e një të tretës së popullit hebre dhe anëtarëve të panumërt të pakicave të tjera.
Gjermania e kishte caktuar këtë ditë përkujtimore që nga 1996, ndërsa Izraeli e përkujton në një datë tjetër.
Pse më 27 janar?
Më 27 janar 1945, forcat e armatosura sovjetike, Ushtria e Kuqe, çliruan kampin nazist të përqendrimit dhe shfarosjes Auschwitz-Birkenau. Ushtarët gjetën të mbijetuar, rrënoja të dhomave të gazit, të vdekur dhe hirin e viktimave. Vetëm në këtë kamp u vranë rreth 1,1 milionë vetë, kryesisht 90 për qind hebrenj. Auschwitz ishte vetëm një nga vendet e shumta të internimit dhe vrasjeve masive nga Gjermania naziste në Evropë.
Deri në fund të Luftës së Dytë Botërore në 1945, humbën jetën më shumë se gjashtë milionë hebrenj, si dhe qindra mijëra sinti dhe romë, njerëz me aftësi të kufizuara, kundërshtarë politikë, persona të përndjekur si homoseksualë, kriminelë apo "asocialë", punëtorë me detyrim, të burgosur lufte, dëshmitarë të Jehovait dhe të tjerë. Terrori nazist synonte këto grupe.
Në ditën e parë të kësaj date ndërkombëtare, më 27 janar 2006, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, deklaroi: "Tragjedia e pashoqe e Holokaustit nuk mund të zhbëhet. Kujtimi i tij duhet të mbahet i gjallë me turp dhe tmerr, për aq kohë sa zgjat kujtesa njerëzore".
Ai theksoi se kujtimi është një parandalim për të ardhmen: "Ferri, që u ngrit në kampet naziste të vdekjes, filloi me urrejtje, me paragjykime dhe antisemitizëm. Kujtesa e këtyre zanafillave na ndihmon që të mbajmë gjithmonë sytë hapur ndaj shenjave paralajmëruese".