Sot bëhen 27 vjet që kur, më 6 shkurt 1999, filluan punimet e Konferencës së Rambujesë në kështjellën Rambouillet, afër Parisit të Francës. Ky takim, i iniciuar nga Grupi i Kontaktit, synonte zgjidhjen e krizës në Kosovë dhe zgjati deri më 23 shkurt.
Ndërmjetësit kryesorë ishin Christopher Hill nga Shtetet e Bashkuara, Boris Maiorski nga Rusia dhe Wolfgang Petritsch nga Bashkimi Evropian. Delegacioni kosovar, i përbërë nga 16 përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes së Bashkuar Demokratike dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u nis drejt Francës pas pengesash nga autoritetet serbe. Më 5 shkurt, serbët nuk i lejuan të nisin nga aeroporti i Prishtinës, por udhëtimi u realizua një ditë më vonë.
Delegacioni kosovar pranoi parimisht propozim-marrëveshjen e Grupit të Kontaktit. Pala serbe e pranoi gjithashtu parimisht, por mbrojti qëndrimin kundër kalimit të trupave të NATO-s nëpër Serbi dhe insistoi që forcat ndërkombëtare në Kosovë të vepronin në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Rrethi i dytë i bisedimeve filloi më 15 mars 1999 në Paris dhe përfundoi pa sukses më 18 mars. Kosovarët nënshkruan marrëveshjen e ofruar nga ndërmjetësit, ndërsa serbët nënshkruan vetëm projektmarrëveshjen politike për vetëqeverisje. Më 22 mars, i dërguari special i SHBA-së, Richard Holbrooke, nuk arriti ta bindë presidentin e atëhershëm të RSFJ-së, Sllobodan Millosheviq, për pranimin e marrëveshjes dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.
Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimet kundër forcave serbe, të cilat përfunduan më 6 qershor me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës. Kjo parashikoi tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e forcave paqësore ndërkombëtare. Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244, që vendosi misionin civil UNMIK dhe atë ushtarak KFOR. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.