Në Shqipëri, 1650 pasuri të sekuestruara dhe 455 të tjera të konfiskuara nga krimi i organizuar presin një fat të paqartë. Këto pasuri, që përfshijnë vila luksoze, makina të shtrenjta dhe biznese, kalojnë në pronësi të shtetit pas vendimeve gjyqësore, por hasin probleme në administrim.
Procedura ligjore
Procedura është e qartë: gjykatat urdhërojnë së pari sekuestrimin, pastaj konfiskimin. Megjithatë, ligji nuk parashikon mirëmbajtjen e ndërtesave, menaxhimin e bizneseve apo ruajtjen e vlerës së mjeteve luksoze. Kjo përgjegjësi i takon Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, e cila vepron midis botës së krimit dhe shtetit.
Sfida në praktikë
Në terren, shumë pasuri mbeten të mbyllura, pa investim apo kontroll të duhur. Çdo vonesë çon në humbje vlere dhe amortizim. Ndërtesat kërkojnë mirëmbajtje, bizneset menaxhim dhe makineritë shërbim të rregullt.
Edval Zoto, ekspert për rreziqet e krimit ekonomik, thekson: "Asetet e sekuestruara më problematike janë ato që humbin vlerën, që amortizohen në kohë. Në këtë aspekt janë nxjerrë udhëzime nga Ministria e Brendshme, për t’u trajtuar të gjitha këto asete. Këtu bëhet fjalë për rastin e bagëtive, Agjencisë do i duheshin shumë procedura për t’i administruar".