Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama ndaj prokurorëve dhe gjykatësve. Reagimi erdhi pas prezantimit të një nisme ligjore nga Partia Socialiste, që synon të ndalojë SPAK-un të kërkojë pezullimin nga detyra të kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit qeverisës.
Sipas Shehajt, kryeministri përdori cilësimet fyese “qen dhe minj” ndaj prokurorëve për shkak të kërkesës për arrestimin dhe pezullimin e zëvendës kryeministres Belinda Balluku. Ai thekson se Rama kërkon të krijojë një pushtet absolut dhe të paprekshëm për veten, duke paralajmëruar se kryeministri shumë shpejt mund të merret si i pandehur.
Shehaj citon deklaratën e Ramës: “Që kufiri ndarës midis pushteteve të jetë si ato gardhet me një vrimë ku hyjnë dhe dalin qentë dhe minjtë dhe ne këtë nuk mund ta lejojmë”.
Partia Mundësia ka nisur një fushatë për mbledhjen e 100 mijë firmave të qytetarëve në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Deri tani, 60 mijë qytetarë kanë firmosur deklaratën. Shehaj thekson se këto firma do t’i dërgojnë në Kongresin Amerikan dhe Parlamentin Europian, për të treguar mbështetjen e shqiptarëve ndaj drejtësisë dhe nevojën për vazhdimin e luftës kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë.
Ai nënvizon se drejtësia shqiptare ka mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe po çon të korruptuarit para drejtësisë më shumë se kurrë. Shehaj bën thirrje të përsëritur: “firmosni, firmosni, firmosni”.