Më 27 tetor, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) u bëri thirrje mediave dhe platformave online që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj fëmijës së mitur të viktimës së vrasjes së fundit në Pejë.
Sipas Agjencisë, disa media kishin publikuar pamje nga varrimi, ku fëmija shihej qartë dhe mund të identifikohej. AIP kërkoi që fytyra e fëmijës të mjegullohet, të mos publikohen hollësi që mund të çojnë në identifikimin e tij dhe të rishikohen materialet e publikuara tashmë. Agjencia rikujtoi se fytyra është e dhënë personale dhe se fëmijët gëzojnë mbrojtje të shtuar sipas ligjit.
AIP u kujtoi mediave detyrimin për të respektuar Kodin e Etikës të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodin e Sjelljes të Komisionit të Pavarur të Mediave. Sipas Agjencisë, këto kode kërkojnë kujdes të veçantë gjatë raportimit për fëmijët dhe viktimat e dhunës. Ajo theksoi se interesi më i mirë i fëmijës duhet të vihet gjithmonë mbi interesin për lajmin.
Agjencia vlerësoi rolin e mediave në informimin e publikut dhe në ngritjen e vetëdijes për dhunën në familje. Ajo theksoi se liria e shprehjes dhe e drejta e publikut për t’u informuar duhet të ushtrohen pa cenuar të drejtat e fëmijëve.
AIP tha se do ta përcjellë raportimin për rastin dhe, sipas nevojës, do të veprojë brenda kompetencave të saj ligjore.