Specialistët e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) kanë mbërritur pasditen e së mërkurës në zonën e Hidrovorit të Akërnisë për të verifikuar nga afër praninë e gazit të konstatuar gjatë shpimesh. Ngjarja u raportua në media një ditë më parë dhe ndodhi pranë pyllit të Hidrovorit, rreth një kilometër larg Aeroportit të Vlorës.
AKBN konfirmon se nuk ka dhënë asnjë leje për shpime apo ndërhyrje në këtë territor. Burime pranë institucioneve bëjnë me dije se një pistë e mundshme e verifikimit lidhet me karakteristikat kënetore të zonës, ku ndër vite mund të ketë pasur çlirim natyral gazi ose si pasojë e shpimesh të kryera nga subjekte private gjatë studimeve gjeologjike të tokës.
Specialistët kanë kryer inspektime paraprake dhe kanë marrë të dhëna fillestare. Situata mbetet në proces verifikimi, ndërsa nuk përjashtohet nevoja për analiza të mëtejshme teknike për të përcaktuar saktësisht burimin e gazit, qoftë fenomen natyror apo pasojë ndërhyrjesh.
Autoritetet kanë ngritur një grup pune për të mbajtur në monitorim të vazhdueshëm zonën gjatë ditëve në vijim. Qëllimi është shmangia e çdo rreziku të mundshëm për banorët, mjedisin përreth dhe zonat e afërta, deri në përfundimin zyrtar të verifikimeve. Një tabelë paralajmëruese është vendosur më herët për të kufizuar kalimin e qytetarëve në zonë.