Një grua ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur mëngjesin e së shtunës në fshatin Loxhë të Pejës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:50, kur dy vetura me targa vendore janë përplasur, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe lëndime trupore te dy persona.
Të dy të lënduarit u dërguan menjëherë në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë për tretman mjekësor. Sipas ekipit mjekësor, njëra nga të aksidentuarit nuk i përballoi plagët dhe vdiq në spital. Spitali i Pejës ka bërë të ditur se personi tjetër është në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova. Ai bëri të ditur se në vendngjarje kanë dalë njësitë e policisë për komunikacion rrugor, ekipet e emergjencës mjekësore dhe zjarrfikësit. Me urdhër të prokurorit të shtetit, i pranishëm në vend, trupi i pajetë i viktimës u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Rasti është duke u hetuar nga hetuesit e aksidenteve rrugore të policisë.