Një aksident rrugor është regjistruar mesditën e sotme në aksin rrugor Fier-Patos. Përplasja ka ndodhur midis një automjeti tip Mercedes dhe një motomjeti, të cilin e drejtonte një shpërndarës picash. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se drejtuesi i automjetit i ka prerë rrugën motomjetit, duke shkaktuar përplasjen.
Si pasojë e goditjes, drejtuesi i motomjetit ka marrë lëndime të lehta. Ai është transportuar me urgjencë për në Spitalin Rajonal Fier për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ku mjekët kanë konfirmuar se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje për të nisur procedurat hetimore dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit. Efektivët kanë punuar gjithashtu në terren për të menaxhuar lëvizjen e mjeteve dhe për të lehtësuar trafikun e rënduar që është krijuar në atë segment pas përplasjes.
Përditësime
Burimet nga vendngjarja saktësuan se aksidenti ndodhi në afërsi të kryqëzimit të Parkut, pranë Drejtorisë së Policisë së Fierit. Sipas të dhënave mjekësore të përditësuara, i dëmtuari ka pësuar lëndime në zonën e këmbëve gjatë përplasjes.