Një aksident rrugor ka ndodhur në qytetin e Beratit, në segmentin e njohur si “Rruga e Lumit”, përgjatë shëtitores. Një shtetas holandez 53-vjeçar, i identifikuar me inicialet V.J., është përplasur nga një motor teksa ishte duke kaluar rrugën në vijat e bardha, në shoqërinë e një grupi turistësh.
Menjëherë pas përplasjes, i dëmtuari është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Beratit. Sipas informacioneve mjekësore, shtetasi holandez ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është nën kujdesin e personelit mjekësor.
Efektivët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat kanë kryer veprimet hetimore në vendin e ngjarjes për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Në kuadër të procedurave ligjore, autoritetet kanë shoqëruar drejtuesin e motorit, 35-vjeçarin B.M., banues në Berat, i cili po mbahet në komisariat për sqarimin e mëtejshëm të situatës.