Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në qendër të qytetit të Gramshit. Një automjet, i cili lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë të ndriçimit publik.
Automjeti ka përfunduar në trotuarin ku në ato momente ndodheshin këmbësorë, përfshirë edhe fëmijë, të cilët kanë shpëtuar mrekullisht pa lëndime.
Banorët e zonës kanë reaguar pas ngjarjes, duke theksuar se kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur marrjen e masave të sigurisë. Ata kërkojnë vendosjen e "policëve të shtrirë" për të disiplinuar lëvizjen e automjeteve në këtë aks rrugor, i cili frekuentohet shpesh nga qytetarët.
Përditësime
Një aksident rrugor ka ndodhur në qendër të Gramshit, ku një automjet është përplasur me një shtyllë. Drejtuesi i mjetit ka shpëtuar me dëmtime të lehta, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave të incidentit.
Policia e Shtetit konfirmoi se drejtuesi i automjetit ka pësuar lëndime të lehta, ndërsa efektivët ndodhen në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e aksidentit në qendër të Gramshit.