Një aksident rrugor ka ndodhur gjatë orëve të mesnatës në rrugën Transballkanike në qytetin e Vlorës. Një automjet tip Porsche me ngjyrë të bardhë ka përplasur një vajzë të re teksa ajo po kalonte rrugën në vijat e bardha, pranë zonës së ish-Hipotekës.
Sipas dëshmive të mbledhura në vendin e ngjarjes, automjeti dyshohet se ka hyrë në kryqëzim duke shpërfillur semaforin me dritë të kuqe. Pas përplasjes, drejtuesi i mjetit nuk ka ndaluar për të dhënë ndihmë, por është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
E dëmtuara është transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Deri në këto momente, nuk ka një njoftim zyrtar mbi gjendjen e saj shëndetësore.
Shërbimet e Policisë së Vlorës kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes për të kryer veprimet e para hetimore. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e drejtuesit të automjetit, duke shqyrtuar pamjet nga kamerat e sigurisë të zonës dhe provat e mbledhura në vendin e aksidentit.