Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka ngritur aktakuzë ndaj F.B., hetuese policore në ekipin për Hetimin e Personave të Zhdukur, për veprën penale Keqpërdorimi i informatës zyrtare.
Sipas njoftimit zyrtar, pas hetimeve dhe veprimeve procedurale, ekziston dyshim i bazuar se F.B., në cilësinë e personit zyrtar, ka keqpërdorur informacionin zyrtar në të cilin ka pasur qasje nga detyra e saj. Me kërkesën private të mikut A.P., me qëllim që ky i fundit të përfitojë përparësi që nuk i takojnë, ajo është kyçur në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës (SIPK) përmes llogarisë zyrtare.
Ajo ka siguruar të dhënat personale dhe të kaluarën kriminale të dëmtuarit F.M., të cilat i ka dërguar A.P. përmes rrjetit social WhatsApp. A.P. i ka publikuar këto të dhëna në një emision televiziv më 20 dhjetor 2025, me qëllim diskreditimin e F.M..
Prokuroria thekson se do të vazhdojë punën për mbrojtjen e rendit juridik dhe të informacioneve konfidenciale që ndikojnë në jetën e qytetarëve. Veprën penale e parashikon neni 416 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.