Departamenti i Krimeve të Rënda pranë Prokurorisë Themelore në Prizren ka zyrtarizuar ngritjen e aktakuzës ndaj Xh.K., në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të kompanisë E.I. SH.P.K., si dhe ndaj vetë këtij personi juridik. Rasti ka të bëjë me shkelje të procedurave të prokurimit publik, të kryera më 10 dhjetor 2022.
Sipas organit të akuzës, i pandehuri nuk ka zbatuar detyrimet kontraktore për projektin e rregullimit të ngrohjes qendrore në sallën e baletit të shkollës së mesme Lorenc Antoni. Në vend të gypave të bakrit, të përcaktuar në paramasat dhe parallogaritë e kontratës, janë instaluar gypa të galvanizuar, të çelikut të zi dhe material inox. Këto materiale janë vlerësuar si të papërshtatshme nga prokuroria, pasi nuk përputhen me specifikimet teknike të kërkuara për montimin dhe furnizimin e pajisjeve.
Prokuroria pretendon se këto veprime janë kryer me dashje për të përfituar dobi pasurore, duke i shkaktuar dëm material buxhetit të Komunës së Prizrenit. Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.