Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet J.J., nën dyshimin për vrasje të rëndë dhe mbajtje, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Aktakuza lidhet me vdekjen e vëllait të të pandehurit në fshatin Bokshiq të Komunës së Klinës.
Sipas aktakuzës, ngjarja ndodhi më 21 mars 2026, rreth orës 15:00, pas një mosmarrëveshjeje për çështje pronësore mes viktimës dhe babait të tyre. Prokuroria dyshon se i pandehuri mori një armë zjarri nga shtëpia dhe qëlloi katër herë në drejtim të vëllait të tij.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, viktima pësoi gjakderdhje të madhe të brendshme dhe të jashtme, për shkak të dëmtimit të arteries në këmbën e majtë. Ai ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Pejës.
Përveç veprës penale të vrasjes së rëndë, J.J. akuzohet se mbante dhe posedonte pa autorizim një pistoletë të kalibrit 9×19 mm, një karikator dhe 10 fishekë të të njëjtit kalibër. Sipas Prokurorisë, ai nuk kishte leje nga organet kompetente.
Me ngritjen e aktakuzës, Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, ta shpallë të pandehurin fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohet. Pretendimet e aktakuzës do të shqyrtohen nga gjykata.