Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u bashkua sot në aktivitetin Race for the Cure Kosova, një nismë që synon rritjen e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe theksimin e rëndësisë së diagnostikimit të hershëm. Gjatë pjesëmarrjes së saj, Haxhiu vuri në dukje se mesazhi i kësaj gare duhet të arrijë tek të gjitha gratë, përfshirë ato që kanë shtyrë vizitat shëndetësore, ndjejnë frikë nga rezultati ose përballen me vështirësi në qasjen ndaj kujdesit mjekësor.
Në mesazhin e saj, Haxhiu u shpreh se koha, në rastin e kancerit të gjirit, është faktor përcaktues. Ajo theksoi se institucionet kanë përgjegjësi që gratë të mos humbin kohë të çmuar duke u përballur me pengesa apo vonesa. Duke nxitur gratë që të kryejnë kontrollet mjekësore në kohë, ajo kërkoi gjithashtu që ky mesazh të përcillet te vajzat, nënat, motrat, shoqet dhe koleget.
“Kur flasim për kancerin e gjirit, koha merr një peshë tjetër dhe ne kemi përgjegjësi që gratë të mos e humbin atë duke pritur apo duke u përballur me pengesa që mund dhe duhet t’ua lehtësojmë”, ka theksuar Haxhiu.
Ajo e përmbylli fjalën e saj me një thirrje për ndërgjegjësim kolektiv: “Në këtë garë nuk ka rëndësi kush mbërrin e para. Rëndësi ka që asnjë grua të mos mbërrijë vonë”.