Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, foli për përballjen e saj me kancerin e gjirit gjatë një bisede me studentët e RIT Kosova, të cilët e kishin ftuar përmes Bordit të Studentëve. Takimi u zhvillua në kuadër të Tetorit Rozë dhe të ndërgjegjësimit për sëmundjen.
Kusari-Lila tha se u diagnostikua me kancer të gjirit në stadin fillestar në tetor të vitit 2024. Ajo theksoi se rëndësi ka sa shpejt zbulohet prania e kancerit në organizëm, pasi zbulimi në stad të hershëm rrit mundësitë për shërim.
“Vendosa të flas dhe të mos gjykoj as Zotin, as robin për sëmundjen time”, tha ajo, duke kujtuar se mund të kishte heshtur dhe të pyeste pse i kishte ndodhur pikërisht asaj. Sipas Kusari-Lilës, besimi dhe forca e brendshme e ndihmuan të përqendrohej te mendimet pozitive për jetën, pavarësisht sfidave.
Ajo tha se ndan përvojën dhe bindjet e saj për të nënvizuar rëndësinë e kontrolleve, ruajtjes së besimit dhe gjetjes së forcës për ta përballuar sëmundjen. Në takimin me studentët, i bëri përshtypje gatishmëria e tyre për të pyetur, kuptuar dhe mësuar.
Kusari-Lila e përshkroi Tetorin Rozë si periudhë ndërgjegjësimi dhe shprese, si dhe si mundësi për të folur hapur për kancerin e gjirit. Ajo bëri thirrje që heshtja dhe stigma të thyhen dhe që beteja e secilës grua të shihet si përgjegjësi e gjithë shoqërisë.
Ajo shtoi se mesazhi i ndërgjegjësimit duhet të arrijë edhe në komunitetet ku flitet më pak për këtë temë. Sipas saj, në biseda duhet të përfshihen edhe djemtë dhe burrat, të cilët duhet t’i dëgjojnë dhe t’i mbështesin gratë. Përballja me sëmundjen, tha ajo, nuk duhet të nënkuptojë përballje të vetmuar.