Kryeministri Edi Rama mbajti fjalim në konferencën e antisemitizmit në përkujtim të Holokaustit, në ditën e fundit të vizitës së tij zyrtare në Izrael.
Në fjalimin e tij, kreu i qeverisë theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit. Ai vuri në dukje se ky qëndrim buron nga vlerat humane dhe historike të popullit shqiptar. Gjithashtu, rikujtoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur vendi u bë strehë e sigurt për ta, duke i mbrojtur në frymën e besës dhe solidaritetit njerëzor.
Ambasadorja shqiptare në Izrael, Meri Kumbe, në një lidhje e drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve të Vizion Plus, deklaroi se fjalimet e kryeministrit u vlerësuan në Izrael si më të mirat gjatë 50 viteve të fundit. Ajo përmendi fjalimin në Parlamentin izraelit (Knesset) dhe atë në konferencën e antisemitizmit.
Sipas ambasadores, audienca në sallë tregoi emocion të madh, sidomos në konferencë, ku tema është delikate për komunitetin hebre. Në nivel politik, ajo e cilësoi si nder të madh dhënien e fjalës kryeministrit Rama nga podiumi i Knesset-it, ku ai paraqiti arritjet dhe vlerat e kombit shqiptar ndaj komunitetit hebre dhe shtetit izraelit.
Meri Kumbe e quajti vizitën historike për Shqipërinë dhe kryeministrin Rama, duke theksuar se Izraeli është partner strategjik. Pritja e ngrohtë ndaj kryeministrit u vu re gjerësisht. Vizita shoqërohet me polemika në Tiranë, ndërsa vlerësimi zyrtar mbetet pozitiv.