Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka kritikuar interpretimet politike lidhur me parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për rritjen ekonomike të vendit. Në një reagim publik, Gjini deklaroi se shifrat e rritjes nuk reflektojnë realitetin ekonomik të qytetarëve, duke theksuar se Kosova vijon të ketë GDP-në për kokë banori më të ulët në rajon.
Sipas analizës së kryetarit të Aleancës, rritja aktuale prej rreth 4 për qind mbështetet kryesisht në konsumin e brendshëm dhe remitancat, duke lënë pas dore sektorë si prodhimi, industria dhe eksporti. Ai theksoi se inflacioni i akumuluar ndër vite ka zbehur fuqinë blerëse, duke pamundësuar një rritje të standardit të jetesës.
Në analizën e tij, Gjini paraqiti periudhat kohore që i duhen Kosovës për të arritur vendet e tjera, nëse vijon ritmi aktual:
• 8 vjet për të arritur Bosnjë e Hercegovinën
• 13 vjet për Maqedoninë e Veriut
• 20 vjet për Shqipërinë
• 54 vjet për Malin e Zi
• 77 vjet për Serbinë
• Mbi 130 vjet për mesataren e Bashkimit Evropian
Në përfundim, Gjini bëri thirrje për një ndryshim të menjëhershëm të politikave ekonomike. Ai kërkoi mbështetje më të madhe për prodhuesit vendorë, investime në teknologji dhe krijimin e vendeve të punës me vlerë të shtuar, me qëllim kalimin drejt një ekonomie të bazuar në prodhim dhe zhvillim afatgjatë.