Safet Gërxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), në një intervistë për Ekonomia Online, komentoi raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që vlerëson se ngërçi politik për një vit ka ngadalësuar rritjen ekonomike në vitin 2025 në Kosovë.
Gërxhaliu nënvizoi se ky vlerësim nuk paraqet befasi, por duhet të shërbejë si udhërrëfyes për korrigjime të domosdoshme. Ai deklaroi se partneriteti me FMN-në ka rëndësi të pakontestueshme, jo vetëm ekonomike, por edhe integruese e gjeostrategjike, duke udhëzuar drejt së ardhmes.
"Nuk duhet të priteti befasi pas vizitave të tilla të Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe këto të gjetura dhe raporti i tyre nuk duhet të na habisin, por besoj se të gjitha ato të gjetura që nuk janë në linjë me vizionin ekonomik të Kosovës, duhet të analizohen me gjakftohtësi, me profesionalizëm dhe ato të korrigjohen dhe të përmirësohen në të ardhmen", tha ai.
Sipas tij, ndryshe nga raportet e mëparshme, që paraqiteshin idilike falë stabilitetit bankar e makrofiskal, ky raport përmban rekomandime më kritike, të përputhura me paralajmërimet e ekspertëve vendorë të pavarur nga politika.
Gërxhaliu pranoi se parashikimet për rritje më të ulët ekonomike në vitin 2025 janë shqetësuese, duke përmendur mungesën e investimeve kapitale dhe rritjen e kredive. Ai u shpreh se këto të meta dhe rekomandime duhet të analizohen thellë për orientim ekonomik më të mirë.