Ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Babrru-së është zbardhur nga efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 5. I riu Rejsi Muca, 18 vjeç, dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje me pronarin e servisit ku punonte, ka përdorur një armë zjarri automatike për të qëlluar dy herë në drejtim të biznesit.
Sipas njoftimit zyrtar, të shtënat nuk kanë shkaktuar lëndime në njerëz, por kanë shkaktuar dëme materiale si në fasadën e jashtme ashtu edhe në ambientet e brendshme të objektit. Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e policisë kanë organizuar operacionin e koduar "Zbulimi", i cili bëri të mundur lokalizimin dhe prangosjen e autorit rreth 3 kilometra larg vendit të incidentit.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në zonë, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik të përdorur në ngjarje, si dhe municion luftarak. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme penale ndaj 18-vjeçarit.