Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Droni”, i cili kishte për qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në zonat e thella malore. Si rezultat i këtij operacioni, u vu në pranga shtetasi Fabian Marku, 37 vjeç, banues në fshatin Xhuxhë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, zbulimi i parcelës u bë falë monitorimit nga ajri me dron. I arrestuari dyshohet se kishte kultivuar gjithsej 60 bimë të dyshuara si Cannabis Sativa, të cilat ndodheshin të shpërndara në një zonë të pyllëzuar, si dhe në afërsi të banesës së tij.
Gjatë ndërhyrjes, forcat e rendit kanë asgjësuar pjesën më të madhe të bimëve narkotike nëpërmjet djegies. Një sasi e vogël e tyre është sekuestruar në cilësinë e provës materiale për të vijuar hetimet e mëtejshme. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa i arrestuari pritet të përballet me akuzat për kultivim të bimëve narkotike.