Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë finalizuan sot operacionin policor të koduar “Afternoon”, pas disa javësh hetime intensive dhe përdorimit të metodave proaktive. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi H. K., 33 vjeç, banues në fshatin Dukat.
Sipas njoftimit zyrtar, 33-vjeçari u kap në vendin ku dyshohet se kishte kultivuar 135 bimë të dyshuara si narkotike të llojit Cannabis Sativa. Pas dokumentimit të rastit, bimët u asgjësuan nëpërmjet djegies, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale për hetimet e mëtejshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë. Policia bën me dije se operacionet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kultivimit të bimëve narkotike do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut të Vlorës.