Një 67-vjeçar me inicialet K. K., banues në Berat, u arrestua në flagrancë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat. Ngjarja ndodhi më 9 mars 2026, në kuadër të operacionit policor të koduar “Produkti”, i cili goditi një rast të dyshuar për pastrim të produkteve të veprës penale.
Gjatë kontrolleve në automjetin dhe banesën e të arrestuarit, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan si provë materiale shumat 54 890 euro, 2020 paund, 1850 dollarë dhe 2850 franga, si dhe një automjet dhe një aparat celular. Këto dyshohen se rrjedhin nga veprimtari të kundërligjshme.
Operacioni u zhvillua mbi bazën e informacioneve të siguruara nga puna hetimore.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të mundshëm të implikuar.