Një 71-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane u arrestua në Vaun e Dejës, në kuadër të një faze të operacionit policor të koduar “Fast”. Sipas Policisë së Shtetit, i arrestuari është Kol Ndoj, banues në Vaun e Dejës, dhe ndaj tij po vijojnë procedurat për ekstradim drejt Italisë.
Interpol Roma e kërkonte Ndojn për vuajtjen e dënimit të dhënë nga Gjykata e Apelit në Napoli. Me vendim të datës 23 prill 2021, gjykata e dënoi me 9 vjet burgim për veprën penale “Shfrytëzimi seksual/Prostitucioni”.
Arrestimi u krye nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër. Operacioni “Fast” synon kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, sipas njoftimit të Policisë së Shtetit.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, po vijon procedurat për ekstradimin e Ndojt në Itali, ku ai do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata italiane.