Sektori për Kërkimin (FAST Albania), në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, ka finalizuar një fazë të re të operacionit të koduar “Fast”. Si rezultat i këtij operacioni është arrestuar në Peshkopi shtetasi Gëzim Dani, i njohur edhe me mbiemrin Hidri, 40 vjeç, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Arrestimi i tij është kryer në kuadër të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës. 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit e Napolit, me vendimin e datës 15 nëntor 2021, e ka dënuar me 9 vite burgim. Ai akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shfrytëzim të prostitucionit, vepra penale të kryera gjatë vitit 2009. Sipas autoriteteve italiane, shtetasi në fjalë ka shfrytëzuar për prostitucion vajza nga Europa Lindore në zonën e Napolit.
Aktualisht, autoritetet shqiptare dhe ato italiane janë duke vijuar procedurat e nevojshme për ekstradimin e të arrestuarit drejt Italisë, ku ai pritet të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia italiane.