Strukturat policore të Shkodrës kanë vënë në pranga Elis Çelën, banues në lagjen “Kiras”, nën dyshimin se është përfshirë në dhunimin e drejtorit të AKU-së për qarkun e Shkodrës, Ramir Haderi. Sipas hetimeve, i arrestuari ka transportuar me automjet autorin e sulmit drejt vendit të ngjarjes dhe e ka ndihmuar atë të largohej.
Sulmi ndaj Ramir Haderit ndodhi mbrëmjen e 21 majit në lagjen “Rus”, ku drejtori u godit me një send të fortë. Si pasojë, ai pësoi një dëmtim në zonën e vetullës, por pas marrjes së ndihmës mjekësore u kthye në banesë. Haderi ka deklaruar publikisht se nuk do të ndikohet në ushtrimin e detyrës së tij nga ky incident.
Sipas burimeve hetimore, pista kryesore e hetimit lidhet me detyrën e drejtorit të AKU-së. Ekzistojnë dyshime se sulmi mund të jetë kryer nga persona të paguar, ndërsa Policia dhe Prokuroria po punojnë për të identifikuar porositësit. Ndërkohë, autori kryesor që dyshohet se ka goditur drejtorin është identifikuar dhe është shpallur në kërkim policor, ndërsa operacionet për lokalizimin e tij vijojnë.