Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njoftoi se më 20 gusht 2026 është arrestuar një person i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi i konsumatorëve”. Hetimet për këtë rast nisën pas një ankese të përcjellë nga Inspektorati i Tregut (MINT) më 15 korrik 2026.
Sipas hetimeve, viktima dhe familja e tij kishin blerë bileta për linjën Hamburg–Prishtinë dhe anasjelltas në vlerë prej 1,150 euro. Pasi udhëtimet nuk u realizuan, familja u detyrua të blinte bileta të reja për fluturime alternative, duke pësuar një dëm shtesë prej 1,600 euro. I dyshuari, i cili ishte personi përgjegjës i kompanisë private, u intervistua fillimisht më 28 korrik 2026, kohë gjatë së cilës iu dha mundësia për të kompensuar dëmin e shkaktuar.
Pas intervistimit të dytë të zhvilluar sot në prani të avokatit mbrojtës, u konstatua se dëmi nuk ishte riparuar. Me vendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, bazuar në nenin 292 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).