Ngjarja e rëndë është shënuar paraditen e së dielës, datë 20 shtator 2026, në zonën e ish-agjencisë në qytetin e Sarandës. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, shtetasi Artan Myrtaj, 44 vjeç, është qëlluar për vdekje me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Në momentin e shkëmbimit të zjarrit, në vendngjarje ka qenë duke kaluar rastësisht 73-vjeçari Xhevdet Skëndaj, i cili është goditur nga plumbat.
Pas ndihmës së parë të marrë në spitalin e Sarandës, i moshuari është transportuar me urgjencë me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Autoritetet janë angazhuar në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës, duke u vënë në ndjekje të autorëve të dyshuar.