Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të përfundojnë regjistrimin e punëtorëve në Sistemin Elektronik EDI deri më 31 tetor 2026, afati i fundit për deklarimin e të dhënave. Detyrimi vlen për të gjithë punëtorët që aktualisht janë në marrëdhënie pune.
Regjistrimi kryhet nëpërmjet sistemit EDI. Punëdhënësit duhet të plotësojnë formularin përkatës për secilin punëtor, duke dhënë të dhëna të plota dhe të sakta, në përputhje me gjendjen faktike të punësimit. Ata që nuk e kanë përfunduar ende procesin duhet të ndërmarrin veprimet e nevojshme brenda afatit.
ATK-ja u ka bërë thirrje punëdhënësve të mos e lënë regjistrimin për ditët e fundit. Sipas njoftimit, mosplotësimi dhe mosdeklarimi i të dhënave mund të jetë subjekt i masave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Institucioni e cilëson përmbushjen e detyrimit të rëndësishme për zbatimin e legjislacionit tatimor dhe për mbajtjen e të dhënave të sakta e të përditësuara për të punësuarit. Për të lehtësuar procesin, punëdhënësit mund të përdorin “Udhëzuesin për plotësimin e formularit për regjistrimin e punëtorëve”, i cili gjendet në Sistemin Elektronik EDI.