Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njoftoi se versioni më i ri i Sistemit Elektronik EDI është funksional për të gjithë tatimpaguesit. Përditësimi sjell shërbimin "Kërkesë për Fiskalizim", i cili është hartuar për të lehtësuar procesin e digjitalizimit të shërbimeve tatimore në zbatim të Udhëzimit Administrativ (MF) Nr. 01/2026.
Shërbimi është krijuar për dy kategori tatimpaguesish:
- Ata që do të fillojnë përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF).
- Ata që janë në proces të kalimit nga Pajisjet Elektronike Fiskale (PEF) në SEF.
Sipas njoftimit zyrtar, përdoruesit mund ta gjejnë këtë opsion në menynë "Fiskalizimi" brenda sistemit EDI. Tatimpaguesit që tashmë janë pajisur me Kodin Unik për Fiskalizim do ta kenë atë të shfaqur automatikisht në profilin e tyre, ndërsa ata që nuk e kanë, mund të aplikojnë për t'u pajisur përmes këtij portali.
ATK u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që planifikojnë të përdorin SEF, si dhe atyre që po kalojnë nga PEF në SEF, të verifikojnë statusin e tyre në sistem dhe, në rast nevoje, të ndjekin procedurat për t'u pajisur me kodin e kërkuar. Ky ndryshim është pjesë e angazhimit të institucionit për modernizimin e proceseve dhe ofrimin e shërbimeve efikase për komunitetin e biznesit.