Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka evidentuar vonesa në modernizimin e transportit publik në Tiranë. Sipas auditimit për qarkullimin rrugor në Bashkinë e Tiranës, vetëm 11% e gjatësisë së rrugëve kryesore urbane kanë korsi të dedikuara për autobusët. Sistemi i biletimit elektronik, i cili duhej të përfundonte në vitin 2022, ende nuk kishte nisur të zbatohej deri në kohën e auditimit.
Raporti thotë se mungesa e biletimit elektronik ka penguar modernizimin e pagesave dhe administrimin më efikas të transportit urban. Numri i aboneve të shpërndara ka mbetur i pandryshuar prej vitesh dhe nuk është përshtatur me rritjen e popullsisë dhe kërkesën e qytetarëve. Sipas raportit, kjo ka sjellë vështirësi për përdoruesit e rregullt në sigurimin e aboneve.
Korsitë e dedikuara mbulojnë vetëm 11% të gjatësisë së rrugëve kryesore, duke bërë që autobusët të qarkullojnë në trafikun e përgjithshëm. KLSH vlerëson se kjo ndikon në vonesat e transportit publik dhe ul besueshmërinë e shërbimit.
Vonesa janë konstatuar edhe në projektin e transportit të shpejtë me autobusë elektrikë, BRT, të parashikuar për tri korridore kryesore të kryeqytetit. Kostoja e vlerësuar e projektit është rreth 110 milionë euro.
Sipas auditimit, moszbatimi i aktiviteteve brenda afateve ka sjellë kosto financiare për Bashkinë e Tiranës, e cila ka paguar 47,569.44 euro në vitin 2025 dhe 62,500 euro në vitin 2026 si tarifë zotimi për pjesën e padisbursuar të huasë. Në total, pagesat arrijnë në 110,069.44 euro. Tarifa vjetore është 0.25% e shumës së padisbursuar. Sipas KLSH-së, këto kosto mund të ishin shmangur nëse projekti do të kishte ecur sipas afateve të përcaktuara.
Bashkia i ka argumentuar vonesat me mungesën e kapaciteteve dhe ekspertizës. KLSH kërkon përshpejtimin e investimeve, zbatimin e biletimit elektronik dhe zgjerimin e korsive të dedikuara, si masa për përmirësimin e shpejtësisë dhe cilësisë së transportit publik në kryeqytet.