Një automjet është përfshirë plotësisht nga flakët pasditen e datës 16 gusht 2026, në aksin e ri rrugor Qafë-Qarri – Ersekë. Sipas të dhënave paraprake, drejtuesi i mjetit ka arritur të dalë në kohë nga automjeti dhe fatmirësisht nuk ka pësuar dëmtime fizike.
Gjatë djegies së automjetit, flakët janë përhapur në anën tjetër të rrugës, duke përfshirë një sipërfaqe prej më shumë se 4 hektarësh me bimësi të ulët dhe kullota. Situata paraqiste rrezik të shtuar, për shkak se zjarri është përhapur në një zonë ku kalon edhe linja e tensionit të lartë.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë dy mjete të shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Kolonjë. Pas ndërhyrjes së tyre, flakët janë izoluar dhe është parandaluar përhapja e mëtejshme e zjarrit në territorin përreth.