Autoritetet italiane kanë çmontuar një organizatë kriminale me origjinë shqiptare, të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, në kuadër të operacionit të koduar Rondò. Operacioni u zhvillua në zona të Italisë qendrore dhe jugore, duke rezultuar me 20 persona nën masa sigurie, prej të cilëve 7 u arrestuan, ndërsa të tjerët hetohen në gjendje lirie me masa më të lehta.
Hetimet zgjasin prej më shumë se një viti dhe përfshijnë metoda proaktive, përgjime dhe survejime nga Zyra e Prokurorit të Pescarës. Baza operative e grupit ndodhej në zonën e Montesilvanos, ndërsa sasitë e narkotikut trafikoheshin nga Shqipëria drejt Barit dhe më pas shpërndaheshin në rajonin e Abruzzos.
Rrugët e furnizimit dhe rolet kryesore
• Kokaina vinte nga Italia veriore.
• Heroina sigurohej nga zona e Fogias dhe transportohej përmes korrierëve nga San Severo drejt Abruzzos.
Në qendër të hetimeve ishin dy shtetas shqiptarë, figura kryesore të organizatës. Njëri merrej kryesisht me trafikun e kokainës, ndërsa tjetri me heroinën. Njëri prej tyre kishte aktivitete tregtare në Montesilvano, të cilat dyshohet se shërbenin si mbulim për aktivitetin kriminal. Gruaja e këtij të fundit, me origjinë nga Foggia, kishte kontakte direkte me furnizuesit e heroinës. Një shtetas shqiptar tjetër, i besuar i dy drejtuesve, ishte përgjegjës për transportin dhe dorëzimin e blloqeve të drogës tek trafikantë të tjerë në zonën e Pescarës.
Sekuestrimet dhe komunikimet
Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 30 kg heroinë dhe kokainë, afro 100 000 euro para të gatshme, si dhe presa metalike për përgatitjen e blloqeve të drogës. Komunikimet kryheshin me kriptofonë që përdornin enkriptim të përparuar, por autoritetet arritën të depërtonin barrierën e tyre falë teknologjisë së avancuar. Disa individë pa precedente penale përdorejshin për fshehje të drogës në shtëpitë e tyre.